Presidenti francez Emmanuel Macron filloi të dielën një vizitë shtetërore treditore në Gjermani, e para nga një president francez në 24 vjet.
Vizita shtetërore zhvillohet me ftesë të presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe sipas zyrës së tij, gjatë saj do të “theksohen marrëdhëniet unike midis dy vendeve”.
Menjëherë pas uljes në Berlin, Macron tha se partneriteti midis Gjermanisë dhe Francës është “i domosdoshëm” për Europën.
“Marrëdhëniet franko-gjermane janë të domosdoshme dhe të rëndësishme për Europën. Ne duhet të përballemi me një dëshirë imperialiste në Europë. Kjo supozon rritjen e marrëdhënieve franko-gjermane”, tha ai duke iu referuar pushtimit rus të Ukrainës.
Macron hodhi poshtë pretendimet se marrëdhëniet mes dy vendeve kishin filluar të ftohen. “Kjo nuk është e vërtetë. Ne po ecim përpara“, tha ai.
Para konferencës së shtypit, një lojë futbolli në tavolinë u luajt mes dy presidentëve që përfundoi në barazim 1-1. Ndeshja erdhi gjatë vizitës shtetërore me rastin e 75-vjetorit të kushtetutës gjermane.
Presidenti gjerman Steinmeier tha se pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme, Berlini dhe Parisi “arrijnë në fund gjithmonë në një marrëveshje”.
“Nëse Gjermania dhe Franca bien dakord, atëherë mund të arrihet më shumë në Europë”, tha ai.
Macron paralajmëroi kundër rritjes së “autoritarizmit”, duke iu referuar sondazheve që sugjerojnë se partitë e ekstremit të djathtë mund të fitojnë më shumë mbështetje në zgjedhjet e ardhshme të parlamentit të BE.
Ai shtoi se nëse e djathta ekstreme do të kishte qenë në pushtet në Europë vitet e fundit “historia nuk do të kishte qenë e njëjtë”, duke treguar krizat si pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë.
“Ne kemi nevojë për një aleancë të demokratëve të Europë,” tha Steinmeier.
Të dy liderët do të udhëtojnë në disa rajone të Gjermanisë. Sipas zyrës së Steinmeier, dita e dytë dhe e tretë e vizitës së Macron do të përfshijnë ndalesa në Dresden dhe Münster.
Franca dhe Gjermania kanë shfaqur mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, duke përfshirë luftën në Ukrainë.
Në fillim të këtij viti, Macron tha se Franca nuk përjashton dërgimin e trupave për të mbështetur Ukrainën, gjë që shkaktoi një përgjigje kritike nga kancelari Olaf Scholz.
Parisi ka theksuar gjithashtu dëshirën e tij për të krijuar autonomi strategjike për BE-në që do ta bënte bllokun më pak të varur nga SHBA. Franca ka shprehur shqetësim për vendimin e Gjermanisë për të blerë pajisje ushtarake kryesisht të prodhuara në SHBA.
Udhëtimi i Macron vjen dy javë përpara zgjedhjeve europiane dhe sondazhet që tregojnë se koalicioni i Macronit është prapa partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar.
Ky i fundit ndërpreu së fundi aleancën me partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD) pas komenteve të bëra nga kandidati Maximilian Krah mbi forcën paraushtarake naziste SS.
Klan News