Mirë se vjen Shqipëri. Me këto fjalë mediat e huaja vlerësojnë aplikimin e vendit tonë për statusin kandidat në Bashkimin Evropian.
Gazeta Financial Times shkruan se ndërsa blloku gjendet përballë krizave kushtetuese, ekonomike dhe shqetësimeve për marrëdhëniet me Rusinë, duhet t’i japë një mbështetje publike zgjerimit të bllokut me vendet e Ballkanit.
Sipas Financial Times Bashkimi Evropian duhet t’i ndihmojë këto vende në integrimin evropian sepse pa të do të ishte e vështirë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ekonomik të rajonit.
Sipas gazetës londineze, kërkesa shqiptare do të vlerësohet në bazë të performancës në zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen në Qershor të këtij viti.
Në një intervistë për gazetën EU Observer, presidenti francez Nikolas Sarkozy ka deklaruar se Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe se Franca e mbështet plotësisht këtë ide.
Edhe qeveria britanike deklarohet se mbështet aspiratat e Shqipërisë për në bllok. Duke reaguar nëpërmjet zëdhënësit të saj Londra zyrtare tha se ”Britania përkrah aspiratat e Shqipërisë” dhe beson se e ardhmja e gjithë e Ballkanit është në Bashkimin Evropian.
Gazeta Uall Street Journal e nis artikullin e saj për Shqipërinë duke cituar deklaratën e zyrtarëve të lartë të komisionit evropian që mirëpresin aplikimin e vendit tonë në BE.
Gazeta Financial 24 shkruan se edhe pse do i duhet pak kohë deri sa procesi i anëtarësimit për Shqipërinë të përfundojë, ky shtet ish komunist i njohur dikur për korrupsionin, ka hedhur me sukses hapin e parë e të rëndësishëm drejt Bashkimit Evropian./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle