Është koha për larjen e hesapeve në Francë, ku po mbahet procesi gjyqësor i shekullit.

Presidenti Nikolas Sarkozy akuzon ish-kryeministrin Domenik De Villepin për komplot dhe shpifje, por De Villepin, i cili nëse shpallet fajtor përballet në teori deri në 5 vjet burg dhe me një gjobë prej 66 mijë dollarësh i mohon akuzat.

Dominique de Villepin: “Jam këtu për shkak të dëshirës së një personi të vetëm, Nikolas Sarkozy, që është edhe presidenti i Republikës Franceze, por un do të dal prej këndej i lirë dhe me një dosje të pastër.”

Në bazën e këtij procesi gjyqësor qëndron çështja që njihet si afera Clearstream, një bankë ndërkombëtare që pastronte paratë e biznesmenëve dhe politikanëve që kanë marrë ryshfete gjatë shitjes së luftanijeve franceze në Tajvan. 

Ndonëse hetimet kishin nisur në vitin 2001, në vitin 2004 prokurorët morën në mënyrë anonime një listë emrash dhe llogarish bankare sekrete të të dyshuarve për korrupsion ku për çudi përfshihej edhe emri i Nikolas Sarkozy, asokohe ministër i financave, të cilin Villepin e thërriste xhuxhi si dhe Domenik Straus Khan, kreu i FMN-së.

Gjykata vendosi se lista ishte false dhe e manipuluar. Nikolas Sarkozi ngulmon se ishte pikërisht De Villepin që qëndron pas kësaj liste, por në të vërtetë për “ The Economist” ky proces nuk ka të bëjë aspak me korrupsionin, por është veçse një duel kundërshtarësh që nuk e kanë fshehur kurrë urrejtjen për njeri-tjetrin, sidomos kur ia kishin vënë syrin presidencës me shpresën për të zëvendësuar Zhak Shirakun.

Procesi është një mundësi e artë për të futur kështu në skutat e errëta të politikës franceze, ku sipas The Economist dominojnë aferat e ndyra, kurthet dhe manovrat e jashtëzakonshme./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle