Gjykata kushtetuese në Çeki i ka hapur përfundimisht rrugën ratifikimit të traktatit të Lisbonës. Sipas vendimit, traktati është në përputhje të plotë me kushtetutën e vendit.

Tashmë pritet vetëm firma e presidentit, Vaclav Klaus, i cili është shprehur se në rast të një vendimi pozitiv të gjykatës, nuk do të vononte të aprovonte marrëveshjen që do të bëjë të mundur reformimin e Bashkimit Evropian. 

Në rast se Klaus do të nënshkruajë, atëherë traktati do të hyjë në fuqi që nga 1 Dhjetori. Megjithatë ende nuk ka një datë zyrtare se kur pritet nënshkrimi i traktatit.

Në një deklaratë pas vendimit, kryeministri çek, Jan Fisher u shpreh mjaft i kënaqur dhe theksoi se tashmë nuk ka asnjë pengesë drejt ratifikimit.

Presidenti çek ishte pengesa më e madhe që bllokonte kalimin e marrëveshjes së bllokut 27 anëtarësh, por ndryshoi qëndrim pas garancive të Bashkimit Evropian lidhur me një shtesë në kapitullin ku flitet për të drejtat themelore, në bazë të të cilit, gjermanët e dëbuar nga vendi pas Luftës së Dytë Botërore, nuk do të gëzojnë të drejtën të kërkojnë pronat e tyre në Çeki.

Traktati i Lisbonës do të zëvendësojë kushtetutën evropiane të vitit 2005, e cila u hodh poshtë me referendum nga Franca dhe Holanda./tvklan.al