Ata që preferojnë natyrën, qetësinë dhe ajrin e pastër mund të zgjedhin zonën e Apleve në veri të vendit.

“Ndodhemi në zonën e Lëpushës dhe Vermoshit, në zemër të Alpeve Shqiptare, ku turizmi vijon të jetë i pranishëm edhe në stinën e vjeshtës. Turistët e preferojnë këtë zonë për produktet lokale, shëtitjet në mal, por edhe për natyrën e paprekur”, raporton gazetarja Emi Kalaja.

Kjo zonë nuk pret vizitorë vetëm gjatë sezonit veror. Kërkesë ka edhe në këtë periudhë, si dhe në stinën e dimrit.

“Ne si shtëpi, si bujtinë ofrojmë ushqime tradicionale të zonës sonë, shtëpisë tonë. Vermoshi ka natyrë, ka ujëvara, të gjitha me një fjalë.”

“Në Lëpushë nuk i kanë lëvizur çmimet. Me ato çmimet e vitit më parë kanë ecur.”

Banorë të zonës i kanë kthyer shtëpitë në bujtina për të pritur turistët. Por problem për ta është gjetja e krahut të punës.

“Shumë, shumë vështirë. Me thënë të drejtën vëtem e mbajmë me fëmijët e mi se s’kam gjetur punonjës dhe kjo është shumë e vështirë sepse duhet t’i bëjmë të gjitha ne.”

“Nuk gjen punëtorë, as me 30 mijë lekë, as me 40 mijë lekë. S’ka asnjë punëtor, kanë mbetur vetëm këta të vjetrit, shumë pak.”

Zona është zhvilluar vitet e fundit si pasojë edhe e investimeve në infrastrukturë ndërsa janë rregulluar edhe problemet me energjinë elektrike.

Klan News