Pas pushimeve verore, rifillon planifikimi. Por, cili është objektivi në listën e udhëtimeve për vitin e ardhshëm? Frymëzohuni nga vende më pak të njohura, shkruan një artikull i revistës gjermane të udhëtimeve “Merkur.de”, e cila mes tre destinacioneve të udhëtimit për 2025 sugjeron Alpet Shqiptare.
Në artikull shkruhet se për t`ju shmangur vapës së madhe në Mesdhe gjatë verës, turistët mund të jenë të etur për ajër të freskët kur planifikojnë pushimet e tyre, dhe Alpet Shqiptare janë destinacioni ideal. Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më në trend të udhëtimeve gjatë viteve të fundit dhe vendi mesdhetar konsiderohet si një alternativë më e lirë kundrejt Greqisë.
Përveç bregdetit, pushuesit mund të shijojnë Alpet Shqiptare, ku ndodhen disa parqe kombëtare të rrethuara nga peizazhe mahnitëse. Një nga parqet më të bukura është Parku Kombëtar i Thethit me ujëvarën e Grunasit. Por, edhe lugina e Valbonës, si dhe malet me formacionet shkëmbore mbresëlënëse ia vlen të vizitohen. Gjithashtu, rekomandojnë të mos humbisni një vizitë në lumin e Shalës, i cili mund të arrihet me varkë pëmes liqenit të Komanit, shpesh i konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve si “Tajlanda e Shqipërisë”. Shqipërinë sipas të dhënave zyrtare për periudhën 8 mujore, Janar-Gusht e kanë vizituar më shumë se 8.2 milionë turistë të huaj.
Klan News