Majlinda Bregu: “Sot USAID ka publikuar një sondazh realizuar nga organizata IDRA, e cila megjithëse e njohur për anësimin politik konfirmon dhe një herë rezultatet pozitive të reformave të qeverisë Berisha në luftën kundër korrupsionit. Në bazë të studimit të sipërpërmendur rezulton se në Shqipëri përvoja e korrupsionit po ulet në mënyrë të vazhdueshme. Ky është treguesi i vërtet që mat sesa i përhapur është korrupsioni. Indeksi i mënyrave të viktimizimit nga korrupsioni është ulur nga 1.7 në 2005 në 1.29 në vitin 2009. Rastet e referuara nga të anketuarit kur policia ka kërkuar ryshfet janë ulur nga 12.5% që ishin në vitin 2005 në 7.8 në vitin 2009, pra korrupsioni në polici është ulur me 40%. Edhe më e madhe është ulja e kërkesës për ryshfet nga nëpunësit dhe zyrtarët nga 12.2% në vitin 2005 në 6.1% në vitin 2009, pra korrupsioni në administratën publike është përgjysmuar. Ryshfeti në arsim është ulur me 300%. Në 2005-ën 29% e prindërve pohojnë se kanë paguar ryshfet për arsimimin e fëmijëve të tyre, ndërsa sot rastet e ryshfetit në arsim kanë rënë në 9%. Ryshfeti është ulur gjithashtu dhe në marrjen e dokumenteve. Nga 29.6% në 2005-ën në 19% në 2009 dhe më duhet të saktësoj këtu se numri më i madh i dokumenteve të kërkuara sot për një qytetar jepet dhe realizohet nga organet e pushtetit vendor. Korrupsioni në tërësi ka një ulje të ndjeshme prej nëntë pikësh ose 9%. Shëndetësia ka një ulje nga 39.7 në 37.1%, pra një ulje jo shumë të ndjeshme, por ky do të jetë fokusi i qeverisë në mandatin e ardhshëm në luftën kundër korrupsionit”./tvklan.al