Fituesja e Medaljes së Artë Olimpike në “RIO 2016”, xhudistja Majlinda Kelmendi, ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar Adem Jashari në Prishtinë në orën 18:00. Pritja zyrtare e Majlinda Kelmendit, u bë nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, si dhe zyrtarë të lartë shtetërorë.

Në një konferencë për mediat kampionja e xhudos u shpreh shumë e kënaqur për arritjet në “RIO 2016” dhe sepse ka bërë popullin e saj të lumtur.

“Kemi punuar shumë që të arrijmë këtë sukses, që ndoshta shumë shtete në botë ëndërrojnë të arrijnë. Rruga ka qenë shumë e vështirë me shumë pengesa, por po shpresoj që brezat e rinj nuk do t’i kenë”,

 tha ajo.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi se 

“do t’i japim përkrahje maksimale këtij sporti në të cilin është arritur sukses maksimal”.

Majlinda Kelmendi do të parakalojë në sheshet kryesore të Prishtinës, ku do të përshëndetet me qytetarët. Xhudistja nga Kosova, Majlinda Kelmendi, ka fituar medaljen e artë në  kategorinë deri në 52 kilogramë në xhudo për femra në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro të Brazilit.

Kelmendi ka mposhtur në finale Odette Giuffrida nga Italia, për t’u stolisur më pas me medaljen e artë. Majlinda Kelmendi është bërë kampione bote në vitin 2013, në xhudo për femra, në kategorinë deri në 52 kilogram,  citojnë mediat në kosovë.

Kosova për herë të parë shënon fitore historike, duke fituar medalje olimpike. Edicioni i 31-të i Lojërave Olimpike Verore ka nisur më 5 Gusht në Rio Janeiro të Brazilit, ku Kosova është paraqitur për herë të parë.

Kosova në Lojërat Olimpike në Rio të Brazilit u përfaqësua nga 8 sportistë të disiplinave të ndryshme, të cilët nuk arritën të përfundojnë garat me sukses./tvklan.al