Të hënën në Prishtinë do të kete një mbledhje të përbashkët të qeverisë së Kosovës me atë të Maqedonisë së Veriut. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti kërkon nga Prishtina zyrtare të ngrejë zërin për cënimin e gjuhës shqipe në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.

 “Në Prishtinë, të hënën, takohen dy qeveritë, dhe pres që në këtë mbledhje, Qeveria e Kosovës të ngrejë çështjen e cenimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e veriut. Të njëjtën e pres edhe nga partitë politike në Kosovë, që bashkarisht ta ngrenë zërin kundër nëpërkëmbjes së të arriturave kombëtare të fituara me gjak”.

Reagime ka edhe në Prishtinë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi thotë se gjuha shqipe për shqiptarët e Maqedonisë së veriut duhet të mbrohet me vendosmëri.  

 “Të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe, duhet të mbrohen me vendosmëri. Qeveria e Kosovës, e posaçërisht politikanët shqiptarë që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duhet të ngrenë zërin dhe të angazhohen që përdorimi i gjuhës shqipe të mos i cenohet askujt dhe askund”.

Ligji që përcaktonte shqipen si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut u miratua në 2018-ën, por nuk u firmos nga presidenti i kohës. Tani pas 6 vitesh Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut do të marrë në shqyrtim një kërkesë për të vlerësuar vlefshmërinë e ligjit, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra nga faktori shqiptar.  

Tv Klan