Ardhja në pushtet e partive pro-serbe në Malin e Zi po shoqërohet me ndryshimin e kursit sa i përket qëndrimeve për Kosovën.
Partia Demokratike Popullore, një ndër kryesoret e koalicionit qeverisës me partinë Evropa Tani, ka mbështetur qëndrimin e kryetares se delegacionit malazez në Këshillin e Evropës, Maja Vukiçeviç, për të mos votuar pro anëtarësimit të Kosovës në Këshilli e Evropës.
Partia Demokratike Popullore u krijua pas shpërbërjes së Frontit Demokratik pro rus dhe serb. Ajo drejtohet nga Milan Knezheviç i cili bën thirrje për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, daljen e Malit të Zi nga NATO-ja dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm u rihap së fundmi pas plotësimit të kryekushtit për anëtarësim, atë të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e 24 hektarëve tokë të kontestuara të Manastirit të Deçanit.
Qeveria e Kosovës shprehet e sigurt se i ka të siguruara 2/3 e votave për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Raportuesja për Kosovën në KiE, Dora Bakojanis, pritet të paraqesë opinionin para Asamblesë Parlamentare me rekomandimin “pro” anëtarësimit të Kosovës.
Nëse jepet drita jeshile, vendimin përfundimtar e merr Komiteti i Ministrave të Këshillave të Evropës.
Tv Klan