Një mal në Zelandën e Re ka marrë të drejtat dhe përgjegjësitë e një njeriu.

Një ligj parashikon mbrojtje të shtuar për malin Taranaki që tani njihet si Taranaki Maunga në gjuhën Maori dhe ka të drejtat, liritë, detyrat dhe përgjegjësitë e njeriut.

Kjo është një marrëveshje mes qeverisë së vendit dhe fiseve indigjene Maori që e konsiderojnë malin 2518 metra të lartë paraardhësin e tyre.

Emri ligjor i malit është Te Kahui Tupua që ligji e parashikon si “një gjithësi të gjallë dhe të pandashme”. Në të përfshihet Taranaki, majat dhe terreni rrethues,”që ndërthurin të gjitha elementet e tyre fizike dhe metafizike”.

Katër anëtarë të fisit Maori dhe katër të tjerë të caktuar nga ministri i Mjedisit, do të ndërtojnë një entitet të ri që simbolizon “fytyrën dhe zërin” e malit, përcakton ligji.

Kjo njohje ligjore adreson edhe përrvetësimin e malit pas kolonizimit të Zelandës së Re dhe përmbush një marrëveshje riparimi nga qeveria për popujt indigjenë dhe dëmet që i janë bërë tokës.

Të drejtat ligjore  u japin më shumë fuqi fiseve që të kujdesen për shëndetin dhe mirëqenien e malit i cili është një atraksion turistik ku shkojnë edhe për ngjitje e sporte dëbore.

Pavarësisht ligjit të ri të miratuar unanimisht nga parlamenti, mali do të mbetet një hapësirë publike./tvklan.al