Manchester City do të humbasë një nga figurat kryesore te viteve të fundit. Drejtori sportiv Txiki Begiristain, do të largohet në fund të sezonit, ndërsa kjo u konfirmua nga vetë klubi anglez.

“Manchester City konfirmon se Txiki Begiristain do të largohet nga detyra e tij me kohë të plotë si Drejtor i Futbollit në fund të sezonit 2024/25. Pas dymbëdhjetë viteve të pasura me trofe në ‘Etihad Stadium’, Txiki do të largohet nga roli i tij aktual pas pjesëmarrjes në Kupën e Botës të Klubeve të kësaj vere dhe do të zëvendësohet nga Hugo Viana i Sporting. Viana do të fillojë rolin e tij me kohë të plotë në verën e vitit 2025, por do të punojë me Txiki në muajt e mëparshëm për të siguruar një tranzicion të qetë”, thuhet në njoftim.

Një largim që do të vijë pas plotë 13 vitesh, pasi 60-vjeçari është pjesë e “qytetarëve” nga viti 2012.

Në fakt, Begiristain kishte menduar largimin që katër vite më parë, por qëndroi për shkak të marrëdhënies së shkëlqyer që ka me trajnerin Pep Guardiola.

Spanjolli iu bashkua City-t në vitin 2012 nga Barcelona, aty ku kishte punuar edhe më herët me Guardiolën.

Nën drejtimin e Begiristain, City është bërë një forcë dominuese në futbollin anglez dhe atë botëror.