Komisioni i Venecias ka pranuar kërkesën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, përcjellë nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali nëpërmjet së cilës kërkohet opinion në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe detyrimit për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në përgjigjen e saj, Presidentja e Komisionit të Venecias, znj. Claire Bazy Malaurie, informon se kjo çështje është vendosur për shqyrtim në mbledhjen e Komisionit të datës 6-7 Dhjetor 2024.
Me datë 13 Shtator vetëm pak orë pasi mazhoranca socialiste rrëzoi në Kuvend për herë të dytë kërkesen e opozitës që mandatin e deputetes Olta Xhaçka ta shqyrtonte Gjykata Kushtetuese, kryeparlamentarja, Elisa Spiropali iu drejtuar me një letër Komisionit të Venecias.
Në letër, kryetarja e Kuvendit, Spiropali kërkonte nga Komisioni i Venecias interpretim se cili është mekanizmi, nëse ka, për të detyruar deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar. Kryeparlamentarja i kërkon Komisionit të Venecias të arsyetoje se cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre.
Më tej në letrën e kryeparlamentares Spiropali ngrihen disa pyetje mbi veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese nëse ajo mundet që të krijojë normë të re kushtetuese, e cila nuk ka lidhje me kompetencën e saj interpretuese të një norme në fuqi.
Kjo është e disata here që politika shqiptare për çështje që nuk gjen dakordësi brenda vendin kërkon përgjigje nga Komisioni i Venecias, i cili është një organ pjesë e Këshillit të Europës dhe ka rol vetëm këshillimor.
Klan News