Opinioni i Komisionit të Venecias lidhur me mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka ka shkaktuar debate në seancë plenare.
Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se Komisioni i Venecias ka këshilluar që të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.
Gazment Bardhi: Ju nuk duhet ta lejoni gënjeshtrën në këtë sallë. Ky është opinioni i Komisionit të Venecias. Vetëm në një paragraf, Olta Xhaçka përmendet 4 herë. Kjo është çështje e themeleve të shtetit. Këshilla që ju ka dhënë “zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese”. Nuk varet nga halli juaj personal.
Nga ana tjetër, ministri Balla i është drejtuar opozitës duke ju thënë se humbjen e konsiderojnë si fitore lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias për çështjen “Xhaçka”.
Taulant Balla: Unë nuk mbaj mend që të ketë ardhur një opinion nga Komisioni i Venecias, ku humbësit ta kenë konisderuar si fitore. Ju për shkak të matematikës, 59 ju duhet më e madhe se 2-shi. Gjëja më qesharake është se ju keni marrë pjesë në votim dhe sot thoni që ai votim ku ne kemi marrë pjesë është i pavlefshëm. Minimalisht, kur Kuvendi u mblodh dhe votoi, ju të kishit marrë fjalën dhe të thoshit që “të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos shkojmë në votim”.
Opinioni i Venecias ka shkruar se Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por gjithmonë thotë se është në gjendje të votojë për çështje që janë në kompetencën e vet. Ju mirëkuptoj se ju ja keni marrë dorën, ju ka mbetur dhe nga udhëheqësi i partisë se çdo humbje e konsideroni si fitore. “Fitore” si kjo paçi gjithmonë dhe korrshi sa herë të keni mundësi.
/tvklan.al