Opinioni i Komisionit të Venecias për mandatin e deputetes Olta Xhaçka është lexuar në mënyra të ndryshme nga PS dhe PD. Kryetarja socialiste e Komisionit Parlamentar të Ligjeve Klotilda Bushka ka deklaruar se Komisioni i Venecias shprehet qartë se Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar.
Për socialistët, Kuvendi e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ndërkohë që ata nuk kanë patur dhe nuk kanë për qëllim të mos i zbatojnë ato.
Por ndryshe mendon PD. Për kryetarin e Grupit Parlamentar Gazment Bardhi Komisioni i Venecias konfirmoi që qëndrimi i mazhorancës për mandatin e Xhaçkës ishte “puç kushtetues” ndaj shtetit ligjor.
Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare. Komisioni i Venecias i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance, duke konfirmuar ndërkombëtarisht se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me votë politike është i paprecedentë.
Komisioni i Venecias për kryetaren e Parlamentit tregoi se qëndrimi i PS nuk ka qenë politik, vetëm kushtetues.
Elisa Spiropali: Besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshem të Kuvendit! Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë! Sot morën përgjigje edhe të gjitha akuzat, shpifjet dhe propaganda me të pavërteta kundër këtij qëndrimi, por si Kryetare Kuvendi ndjehem e lehtësuar dhe për këtë falenderoj Komisionin e Venecias që e shqyrtoi me shpejtësi dhe seriozitet maksimal kërkesën time.
Për këtë reagim Spiropali mori kundërpërgjigje të menjëhershëme nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD.
Gazment Bardhi: Kryetarja e Kuvendit duhet ta rilexojë edhe njëherë opinionin e Komisionit të Venecias, ta kuptojë dhe ta zbatojë. Dezinformimi i saj që vazhdon edhe pasi opinioni është publik tregon se ka një tentativë për të vijuar me mbrojtjen e paprecedent ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën për përfitime personale, tërësisht në të kundër të asaj që Komisioni i Venecias këshillon. Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nga sot ka vetëm një detyrim: Të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, siç këshillon në opinionin e tij edhe Komisioni i Venecias. Çdo deformim apo devijim nga thelbi i opinionit dhe përhumbja nga detaje pa thelb nuk ndihmojnë në forcimin e demokracisë dhe as të shtetit ligjor.
Sqarimi i demokratëve se Komisioni i Venecias i dha të drejtë opozitës u përforcua edhe nga nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi, i cili thekson se tashmë qeveria është e detyruar të zbarojë vendimet e gjykatës kushtetuese për mandatin e deputetes Xhaçka.
Oerd Bylykbashi: Çështja e mandatit të Olta Xhaçkës ka shkaktuar përplasje të forta mes PS dhe PD, pasi mazhoranca në muajin prill të këtij viti votoi kundër çuarjes së mandatit të saj në “Kushtetuese”, ndërsa në shtator, mazhoranca abstenoi, duke bërë që Kuvendit të kërkonte edhe opinionin e Komisionit të Venecias. Demokratët këmbëngulin se Olta Xhaçka nuk mund të mbajë mandatin e deputetes pasi është në konflikt interesi.
Klan News