Fokusin e tij në replikat me ndjekësit, kryeministri e vendosi tek shëndetësia. Edhe pse një nga ndjekëset e pyeste për korrupsionin në spitale Rama u përqendrua tek transformimi që thotë se kanë shërbimet shëndetësore dhe krahasimin e bën me atë që gjetën në 2013-ën.

“E morëm Shqipërinë me spitale që ishin ndërtuar në vitet ’60, ’70 dhe vetëm ishin arrnuar në vitet ’90, 2000. Një tmerr! Me shtretër lufte akoma, me batanije nga ato ushtaraket me qime. Banjot me ujërrjedhje në korridor gjithandej, ilaçet harroje, pajisjet për operacione ishin të shekullit të kaluar, niveli i sterilizimit po ashtu…Infeksionet post-operatore më të lartat në Europë, mjekët heronj jepnin e merrnin si në luftë, në mes të Europës, shekulli 21. Autoambulancat ndizeshin me të shtyra dhe urgjencat vareshin nga oraret e gjumit të rojeve që i linin hapur ato telefonat për të mos u përgjigjur, me atë telin varur. Nuk po flas për qendrat shëndetësore, katastrofë!”


Kryeministri rreshtoi të gjitha shifrat për investimet në infrastrukturën spitalore, atë të poliklinikave dhe urgjencave përfshirë dhe rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët.

“Sot kemi 400 qendra të reja shëndetësore, të bëra nga e para që u shërbejnë 1.6 milion qytetarëve. Kemi një urgjencë kombëtare me 320 automjete të pajisura me aparatura jetëshpëtuese, që të gjitha. Kemi mjekë të mirëpaguar, 140% më shumë se sa deri dje. Infermierë me 112% më shumë se sa deri dje, paguhen 120 milion euro për të rimbursuar barnat. Kontrollojmë gati gjysmë million njerëz në vit për shëndetin, me analiza falas. Kryejmë  60 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit dhe 164 lloj testesh laboratorike që deri dje bëheshin vetëm në privat, copë-copë. Janë kryer 16 milion e 800 mijë ekzaminime me aparatura të fjalës së fundit dhe të gjitha janë falas!”

Bashkëpunimin me Qendrën Spitalore Sheba në Izrael dhe projektin e ndërtimit të 2 spitaleve në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara dhe Italine do të mundësojnë që çdo operacion dhe ata me raste me komplikacion të rëndë të kryhen brenda vendit.

Tv Klan