Vendimet e qeverisë, ministri: Do të verifikohen nëse kanë kontakte me botën e krimit

Noterët do t’i nënshtrohen procesit të vettingut. Pas mbledhjes Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se në Kuvend do të dorëzohet një projekt-ligj me kritere të reja për noterët, ku parashikohen dhe heqja e licencës me të njëjtën procedurë si për gjykatësit apo prokurorët. Ai theksoi se noterët do të verifikohen nëse kanë kontakte me persona që kanë lidhje me botën e krimit.

“Kanë të bëjnë me mospërfshirje në këtë sistem për persona që kanë lidhje apo kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar, sidomos personat e dënuar për kryerjen e veprave penale të rënda. Po ashtu përcaktohen kritere të reja për pranimin në këtë profesion siç janë kriteret e vendosura për pranimin e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë në shkollën e Magjistraturës. Po ashtu projektligji i ri përcakton të njëjtën procedurë dhe të njëjtat kritere për heqjen e licensës apo dhënien e masave disiplinore, të njëjta si për gjyqtarët dhe prokurorët. Në fakt, ndryshimet që propozohen sot, është as më shumë e as më pak, një proces vettingu për noterët e sistemit që sot janë në këtë shërbim”.

Ndërkohë ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit Mirela Kumbaro bëri të ditur se Këshilli i Ministrave ka vendosur që mbrojtja e faunës të jetë përgjegjësi edhe e pushtetit lokal, e cila ka për detyrë të identifikojë këto habitate dhe t’i mbrojë ato.

“Bashkitë të cilat tashmë nuk mund të jenë pasive duke menduar  që kjo është një çështje që i takon vetëm Ministrisë së Mjedisit apo shoqatave mjedisore, me këtë VKM që miratojmë sot për përcaktimin e kritereve të ekosistemeve të faunës së egër, janë bashkitë të cilat kanë detyrë parësore të identifikimit të ekosistemeve, hartimit të planeve të cilat miratohen më tej nga ministri i Mjedisit”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi  se Këshilli i Ministrave  ka vendosur ratifikimin e memorandumit  mes Shqipërisë dhe SHBA për kufizimin e importit të materialeve arkeologjike shqiptare.

Klan News