Loja politike e nisur nga Rama pas humbjes në zgjedhjet e Qershorit për anëtarin e Asamblesë Socialiste, Ylli Manjani po pengon në opozitën të ushtrojë rolin e saj, oponencën ndaj qeverisjes.
Sipas Ylli Manjanit zgjedhjet janë një kapitull i mbyllur tashmë dhe socialistët në vend se të mbështesin aksionet e gabuara politike të kryesocialistit, duhet të mendojnë për të punuar për qytetarët që i kanë votuar.
Ylli Manjani: “Çështja e zgjedhjeve dhe e hetimit të zgjedhjeve dhe transparencës së zgjedhjeve në Shqipëri ka marrë fund. Ne nuk kemi luksin që të merremi pafundësisht dhe përjetësisht me këtë çështje. Zoti Rama krijoi një kauzë për të mbajtur frymën e njerëzve drejt politikës dhe me këtë veprim që po bën zoti Rama i ka shërbyer në mënyrë besnike keqqeverisjes së vendit, pra sepse ka arritur ta shfokusojë vëmendjen e njerëzve nga problemet e ditës. Të gjithë mbajnë frymën tani te kutitë, do hapen a s’do hapen kutitë. Nuk janë zgjidhje më të merrni pafundësisht me kutitë, as komisionet hetimore, as 100 prokurorë, as 700 zyrtarë, as 25 mijë komisionarë. Kjo është një histori që çelet vetëm ditën e zgjedhjeve. Kur të fillojë fushata e ardhshme, mund të riçelen dhe diskutimet. Sot është koha për të qeverisur.”
Rifillimin e protestave për të luftuar për transparencën e zgjedhjeve dhe opsionin e përfolur për të bojkotuar sërish parlamentin, Manjani i cilëson absurde.
Ylli Manjani: “I ngjan më shumë një lëvizje për destabilitet sesa një lëvizje për transparencë apo për konstitucionalizëm, siç pretendon zoti Rama. Zoti Rama sot është bashkëfajtor në politikën shqiptare për cenimin e rëndë të Kushtetutës së vendit”.
Manjani është kategorik në qëndrimin e tij kundër një bojkoti të mundshëm të zgjedhjeve lokale nga ana e socialistëve.
Sipas tij askush nuk mund t’i mohojë qytetarëve shqiptarë dëshirën për të patur shërbime më të mira në komunitet./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka