Temperaturat e larta zgjasin sezonin turistik
Pavarësisht ndikimit nga pandemia, temperaturat e larta dhe moti me diell e kanë zgjatur sezonin veror. Jugu i vendit, me Palasën, Dhërmiun, Jalën e Himarën mbeten zonat më të frekuentuara nga pushues vendas dhe të huaj. Pjesa më e madhe e atyre që kanë zgjedhur këtë periudhë për të kaluar pushimet në rivierën e mrekullueshme shqiptare vijnë nga Maqedonia.
“Jam nga Bitola (Manastiri), Maqedonia. Vijmë këtu prej 4 vitesh. Vitin e kaluar shkuam në Ksamil, Vlorë, Orikum dhe Dhërmi. Për këtë sezon po vij për herë të parë këtu. Do të qëndroj 6 ditë”.
“Vij për herë të parë në Shqipëri. Deti dhe plazhi janë shumë të bukur. Vitin tjetër do të kthehem sërish, me siguri”.
“Jam nga Shkupi. Kam qenë 3 vite më parë në Ksamil. Është vërtetë këndshëm. Shtatori është i ngrohtë, është shkëlqyeshëm”.
Teksa disa kanë zgjedhur t’i lenë pushimet për në Shtator, të tjerë pushues po rikthehen në bregdetin e jugut për të disatën herë.
“Kemi zgjedhur shtatorin ngaqë është më qetë, më mirë edhe vapë nuk është shumë”.
“E treta herë për këtë sezon. Ne nuk e ndërrojmë”.
“Perla e Shqipërisë është Dhërmiu. Kemi qenë në 10 Korrik dy javë, njëherë 3 ditë tani do rrimë 8 ditë”.
Zgjatja e këtij sezoni të vështirë turistik shihet si shpresë për operatorët turistikë.
“Ka qenë sezoni më i vështirë, sezoni më i varfër. Ka patur mungesë të huajsh, shumë-shumë pak. Që ka lëvizje ka, por jo si shtatoret e kaluar, vetëm fundjavave”.
Pandemia e Covid-19 dhe rregullat e vendosura në vend dhe rajon çuan në rënien e numrit të turistëve dhe një sezon ku u punua me jo më shumë se në 50 % të kapacitetit. Ata që edhe këtë vit i qëndruan besnik bregdetit tonë, ishin pushuesit nga Kosova, që frekuentuan plazhe nga Velipoja, Shëngjini, Durrësi, Vlora, Himara e Saranda, duke e zbutur disi goditjen që i dha pandemia turizmit, që punëson mijëra njerëz e që i sjell buxhetit të ardhura të konsiderueshme, pasi zë 10 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Tv Klan