Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme miratoi vendimin për masa të reja antikrizë. Janë miratuar rreth 8 milionë Euro shtesë, si paketë plotësuese të masave për t`u dalë në ndihmë kërkesave dhe iniciativave të më shumë subjekteve që janë goditur nga kriza, njoftuan nga shërbimi për informim i Qeverisë.
Nga këto mjete, ndihmë financiare në vlerë prej 110 milionë Denarë do të marrin Hekurudhat e RMV-së – Transporti, derisa NP “Rrugë Shtetërore” do të marrë 180 milionë Denarë. Në pjesën e NP-ve dhe SHA-ve në pronësi të shtetit, SHA “Ekonomia e Ujrave” do të marrë rreth 36 milion denarë për pagesën e dy rrogave të 598 të punësuarve, si dhe mjetë për 260 të punësuar në SHA “Qendra Tregtare” – Shkup.
Qeveria ka vendosur t`u ndihmojë edhe transportuesve privat në transportin publik të Shkupit. Transportuesit që përfaqësohen përmes “Makekspres” dhe “Sloboda Prevoz” – Shkup do të marrin mjete për pagesën e ndihmës financiare prej 14.500 denarë për një të punësuar për dy muaj.
Me pakon e re anti-Covid janë përfshirë edhe artistët e estradës, ku u transferohen 2 paga minimale bruto nga 21.776 denarë. 40 Shoqata nga Asociacioni për Vallëzim do të marrin grante nga 2000 Euro për një shoqatë, derisa Çerdhet private të Fëmijëve do të subvencionohen nga 1500 denarë për cdo fëmijë të përkujdesur në periudhën prej 6 muaj.
Ndihmë financiare nga 90.000 denarë do të marrin Ateljetë Dizajnuese për organizimin e dasmave, kurse mjete do të fitojnë dhe Klubet e Natës.
Grante për pagesën e dy pagave minimale bruto nga buxheti do të ketë edhe për Qendrat Edukative për fëmijë dhe Qendrat e Gjuhëve të Huaja. Subvencione për paga do t`u paguhen edhe 48 organizatave rinore.
Në seancën e djeshme qeveritare kaloi edhe pagesa shkallë-shkallë e ndihmës financiare për artistët e pavarur, punonjësit e filmit, artistët dhe punonjësit e kulturës, në vlerë prej 14.500, 18.000 ose 21.500 denarë, varësisht të ardhurave për periudhën tremujore, për gjithsejt 462 shfrytëzues, për cka janë paraparë 24.948.000 denarë, për cka lidhur me pagesën do të publikohet thirrja nga Ministria e Kulturës.
Ndihmë financiare nga 14.500 denarë për një të punësuar, për dy muaj për orë efektive të punës, do të marrin 58 transportues të licencuar për 376 linja të autobusit. /KlanMacedonia