Ata që para një jave terrorizuan fëmijë, gra dhe pleq shqiptarë në lagjen Nerez të Shkupit, sot tentuan të paraqiten në rolin e viktimës.
Tifozët e klubit futbollistik Vardar të njohur si “Komiti”, sot organizuan një protestë të qetë në të cilën u ankuan se janë viktimë e policisë dhe politikës.
Edhe pse u paraqitën me mesazhe se janë tifoz të kulturuar e jo huliganë, udhëheqësit e këtij grupi nuk treguan gatishmëri të kërkojnë falje për dhunën që shkaktuan, e as të distancohen menjëherë nga pjesëtarët e grupit të cilët morën pjesë në dhunën e javës së kaluar. Do të presin që gjykatat ta pastrojnë rastin.
Nuk kemi pse të kërkojmë falje. Ne nuk ishim organizatorë të asaj që ndodhi. ekziston prezumpcioni i pafajësisë. Do të distancohemi nga ata anëtarë të grupit tonë vetëm nëse shpallen fajtorë nga gjykata.
Për shkak të webfaqes me këngë me përmbajtje fashizoide, në të cilat mbretëron elementi antishqiptarë, prokuroria në Maqedoni ka nisur hetime ndaj grupit “Komitët”. Mirëpo juristët janë decid se organet kompetente duhet ta ndalojnë menjëherë ekzistimin e këtij grupi, për shkak të ideologjisë fashizode që e kultivon.
Diton Dikena: “E shoh se sot protestojnë “Komitët”. Të protestosh që pse nuk të lejojnë të rrahësh gra dhe fëmijë është një absurd. Policia dhe shteti nuk duhet më tepër që me donacione të fshehtë ti përkrahin këto organizata, por menjëherë duhet që ti zhdukin për arsye se gjithnjë e më tepër po luajnë me kartën nacionale dhe krijojnë një ide fashizoide, aq më tepër nacionaliste.”
Dhuna e ushtruar nga grupi “Komitët” ndaj shqiptarëve të lagjes Nerez, ka shkaktuar kaos të vërtetë në skenën sportive në Maqedoni.
Për shkak të kësaj dhune deri tani janë anuluar tri ndeshje mes klubeve shqiptare dhe maqedonase në ligën e parë futbollistike të Maqedonisë, pasi është vlerësuar se ekziston nivel i lartë i rrezikut për incident në rast se zhvillohen këto ndeshje.
Javën e kaluar u anulua ndeshja mes klubit shqiptarë Shkëndija dhe klubit maqedonas Teteks, kurse këtë javë janë anuluar ndeshjet mes klubeve shqiptare Renova dhe Shkupi kundër klubeve maqedonase Vardar dhe Teteks.
Nga Shkupi për Tv Klan Isen Saliu./tvklan.al