Me protestën e qindra nxënësve shqiptarë të shkollave të mesme në Tetovë, ka filluar sot vala e protestave të shqiptarëve në Maqedoni kundër enciklopedisë maqedonase.
Në një protestë spontane ku kanë brohoritur parulla kundër enciklopedisë maqedonase nxënësit shqiptar kanë kërkuar tërheqjen e saj, kurse në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët e qytetit.
“Qëllimi i kësaj proteste është ta shprehim revoltën kundër enciklopedisë e cila është kryekëput një enciklopedi e krijuar nga qarqet antishqiptare dhe ne sot kemi dal ta shprehim revoltën ndaj Blaze Ristovksit, i cili e shtrembëron historinë duke na quajtur si të ardhur, në fakt ne jemi në këtë vend autokton.”
Dy javë pas botimit të enciklopedisë, të martën janë takuar për herë të parë edhe udhëheqësit e koalicionit qeverisës Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti. Gruevski edhe pas këtij takimi nuk është distancuar në formë të qartë nga përmbajtja e enciklopedisë.
Në kumtesën e lëshuar pas takimit thuhet se ai bashkërisht me Ahmetin ka shprehur keqardhje për pjesët e kontestuara të enciklopedisë dhe kanë kërkuar nga akademia maqedonase që të gjej formë për ti tejkaluar këto probleme.
Ndërkohë edhe udhëheqësi i opozitës maqedonase Branko Cervenkovski, ka kërkuar nga presidenti George Ivanov dhe kryeministri Nikolla Gruevski të distancohet nga pjesët ofenduese të enciklopedisë. Sepse në të kundërt do të bëhet e qartë se edhe ata janë kumbarë të përmbajtjes së enciklopedisë ose së paku pajtohen me përmbajtjen e saj.
Ai apeloi tek liderët politik shqiptar në Maqedoni dhe në rajon të heqin dorë nga reagimet radikale dhe të fokusohen në tejkalimin e gjendjes dhe jo në keqësimin e saj./tvklan.al