Edhe pse kanë kaluar 20 vite nga shpërbërja e Jugosllavisë socialiste, në Maqedoni akoma diskriminohen shqiptarët të cilët kanë qenë të persekutuar gjatë ekzistimit të këtij shteti.

Diskriminim bëhet madje edhe ndaj deputetëve shqiptarë, siç është rasti me deputetin Tahir Hani.

Ai është duke ushtruar mandatin e dytë të deputetit, mirëpo nuk mundet të ketë qasje tek informatat sekrete, sikurse deputetët tjerë, për shkak se në vitin 1985 ka qenë i dënuar me pesë vite arrest nën akuzën për veprimtari nacionaliste shqiptare.

Tahir Hani: “Në vetë faktin që nuk është vetëm një deputet që nuk posedon certifikatën, por ka disa deputetë atëherë s’kuptohet që akoma ekzistojnë paragjykime negative mbi besueshmërinë e shqiptarëve në ndërtimin e shtetit të Republikës së Maqedonisë.”

Komisioni përkatës ka refuzuar të furnizojë me të njëjtin certifikatë edhe deputetin Abedin Zyberi, i cili në vitin 2001 ka qenë pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Abedin Zyberi: “Shërbimet e shtetit të cilat nuk lejojnë që neve të na jepet ai dokument me të cilin do të kishim të drejta që të futemi në fshehtësinë e punëve të brendshme dhe të ministrisë së mbrojtjes.”

Mosfurnizimi i deputetëve Hani dhe Zyberi me certifikatat e nevojshme është bërë pengesë për fillimin  me punë të komisionit parlamentar i cili duhet të hetojë rrethanat nën të cilat janë dënuar 13 shqiptarë nga fshati Sopot i Kumanovës.