Zaev: Festimet mund të presin ndërsa shëndeti, jo
Thirrje që të festohet me përgjegjësi, masa të reja restriktive, rekomandime, lajme pozitive lidhur me vaksinën, këto dhe informacione të tjera i shpalosi Kryeministri Zoran Zaev pas përfundimit të seancës së qeverisë, ku u mor vendim që të pranohen rekomandimet e komisionit për sëmundje infektive për pako të re të masave restriktive për periudhën nga 18 Dhjetor deri më 12 Janar të vitit të ardhshëm.
Qëllimi sipas tij, është që të pengohet një valë e re e koronavirusit në prag të arritjes së vaksinës, që është paraparë për në muajin Mars.
“Masat kanë të bëjnë me kufizimin e orarit të punës së objekteve hotelierike, ndalesa për organizim të festave para vitit të ri dhe për vit të ri në hapësira të hapura dhe të mbyllura, kemi edhe rekomandime të qarta për përfaqësuesit e bashkësive fetare, organizatat e punës dhe komunat, rekomandime për punën e restoraneve nëpër objektet hotelierike. Qeveria solli vendim që objektet hotelierike të punojnë deri në orën 18:00”.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe theksoi se qeveria tashmë ka siguruar 833 mijë vaksina kundër koronavirusit, vaksinat do të jenë pa pagesë, fillimisht do t’i jepen personelit shëndetësor, më pas pacientëve të moshuar dhe atyre me sëmundje kronike. Filipçe theksoi se vaksina është e sigurt dhe qytetarët duhet të injorojnë të gjitha informacionet e rrejshme që shkaktojnë frikë në opinion.
Klan Macedonia