Qeveria e Maqedonisë në të ardhmen do të marrë masa disiplinore kundër institucioneve shtetërore, të cilat qytetet dhe fshatrat kosovare do t’i evidentojnë si banime që i takojnë Serbisë. Ministria e Punëve të Jashtme me një letër të posaçme zyrtarisht rikujton institucionet se Maqedonia e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ky fakt duhet të merret parasysh edhe gjatë përgatitjes së dokumenteve zyrtare.

Shefik Duraku: “Nëse pas këtyre njoftimeve me letër. Ende vazhdohet me avazin e vjetër, atëherë sigurisht se përgjegjësia do të bjerë mbi eprorët ose udhëheqësit e atyre institucioneve. Po mirë qeveria ose ligji parasheh masa disiplinore për ata që nuk respektojnë këtë vendim të qeverisë.”

Dukuria e vendimit të vendbanimeve kosovare si vendbanimeve serbe, posaçërisht është prezente në dokumente personale që jepen nga ministria e punëve të Brendshme për qytetarët e Maqedonisë që kanë lindur në Kosovë. Për këtë arsye kjo është ministria e parë të cilës ministria e Punëve të Jashtme është drejtuar me letër zyrtare që ta ndërpresë këtë praktikë.

Shefik Duraku: “Atë çka mund të vërtetojë se ministria e Punëve të Brendshme e ka marrë njoftimin dhe besojmë që shumë shpejt gjatë dhënies së dokumenteve, sidomos certifikatave të lindjes, më nuk do të haset në probleme të tilla.”

Maqedonia në tetor të vitit të kaluar e njohu pavarësinë e Kosovës kurse 1 vit më vonë vendosi edhe marrëdhëniet diplomatike. Mirëpo shumë institucione shtetërore në Maqedoni kanë vazhduar t’i evidentojnë vendbanimet kosovare si vendbanime në Serbi e madje edhe Kosovën si pjesë të Serbisë. Tani qeveria e Maqedonisë pretendon se definitivisht do ta ndërpresë këtë praktikë.

Nga Shkupi për tv Klan Isen Saliu./tvklan.al