Paralelisht me manifestimet e organizuara me rastin e 8-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe deklaratave të përfaqësuesve ndërkombëtarë për rëndësinë e këtij dokumenti, u paraqit edhe informacioni se dokumenti origjinal i kësaj marrëveshje është zhdukur.

Informacionet e këtilla janë paraqitur për shkak se origjinali i Marrëveshjes së Ohrit nuk gjendet as në Arkivin shtetëror të Maqedonisë, e as në kabinetin e presidentit të Shtetit.

Në kabinetin e presidentit, George Ivanov, konfirmojnë se tek ata nuk gjendet dokumenti origjinal i Marrëveshjes së Ohrit.

Ata thonë se Marrëveshja e Ohrit është nënshkruar në shtatë kopje origjinale, të cilat u janë dhënë nënshkruesve të sajë, gjegjësisht presidentit të atëhershëm Boris Trajkovski, kryetarëve të katër partive nënshkruese të marrëveshjes, si dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, Xhejms Perdju dhe Fransoa Leotar.

Ndërkaq zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Shefik Duraku, në një deklaratë telefonike për TV Klan ka thënë  se origjinali i marrëveshjes së Ohrit patjetër duhet të gjendet, edhe atë në kabinetin e Presidentit të Shtetit.

Analisti Ismail Sinani thotë se dilemat e paraqitura se ku gjendet dokumenti origjinal i Marrëveshjes së Ohrit flasin për qasjen joserioze të institucioneve ndaj kësaj marrëveshje.

Ismail Sinani: “Po mendojnë se vetë fakti se ka filluar dy ditë me radhë të flitet rreth këtij dokumenti, gjegjësisht rreth asaj se a është diku i arkivuar apo jo flet qartë për mungesën e seriozitetit të institucioneve në këtë vend. Gjithashtu ky është edhe një tregues i qartë se pala maqedonase me hapjen e kësaj dileme, me hapjen e këtij debati edhe një herë dëshmon se nuk është e interesuar deri në fund ta implementojë këtë dokument që i dha fund konfliktit të vitit 2001.”

Për sjelljen joserioze të institucioneve shtetërore ndaj Marrëveshjes së Ohrit flet edhe fakti se në solemnitetin e organizuar me rastin e 8-vjetorit të kësaj marrëveshje nuk ishin prezent as presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, as kryeministri Nikola Gruevski e as kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu