MSH: Finalizohet marrëveshja me kompaninë Pfizer
Një muaj pasi një grup mjekësh amerikanë, në fillim të muajit dhjetor, njoftuan se “ivermektini”, një ilaç i vjetër antiparazitar, është zgjidhja për mposhtjen e virusit korona, Agjencia për regjistrimin e ilaçeve në Maqedoninë e Veriut, Malmed, ka miratuar importin e tij. Gjatë kësaj jave pritet që spitalet dhe barnatoret që kanë kërkuar leje, t’i marrin sasitë e para, ndërsa kanë shpresë mijëra njerëz pozitivë në virusin korona. Në rrjetet sociale tashme disa ditë qarkullon pyetja: “Ku mund të gjej ivermektin”. Pak kohë më parë epidemiologu Dragan Danilovski në priofilin e tij në Facebook ka shkruar.
“A jemi në prag të zgjidhjes për pandeminë? Ivermektini, ilaç antiparazitar i njohur tashmë 40 vite, zbulimi i të cilit është shpërblyer me çmimin Nobel në vitin 2015 dhe i cili gjendet në listën e “ilaçeve esenciale” të OBSH-së, është shumë efikas edhe kundër COVID-19.”
Përndryshe sot në mëngjes ministri i shëndetësisë Venko Filipçe e ka finalizuar marrëveshjen me kompaninë “Pfizer” për furnizim me 800 mijë vaksina për Maqedoninë e Veriut, prej të cilave dozat e para prej 5-6 mijë vaksinave priten në muajin shkurt.
“Më pas do të vijë dërgesa me sasi më të madhe në muajin mars, në prill, ndërsa dinamika për gjithë vitin 2021 do të vërtetohet në mënyrë shtesë. Maqedonia e Veriut në kohë ka filluar me përgatitjet për vaksinim kundër COVID-19, ndërsa infrastruktura është e përgatitur.”
Opozita kritikon se vendi është vonë, pas vendeve fqinje në rajon, ndërsa sasia prej 6000 dozave që pritet në muajin shkurt është shumë e vogël.
“Kjo është e mjaftueshme që të vaksinohet përafërsisht vetëm një qytet sa Zletova që numëron më pak se tre mijë banorë. Filipçe vazhdon me gjysmë informata se në bisedime të drejtpërdrejta janë siguruar 800 mijë doza për gjithë vitin 2021. Detaje për atë kur dhe sa vaksina do të arrijnë nuk ka.”
Ndërkohë vendet fqinje si Bullgaria dhe Greqia, anëtare të BE-së, vaksinimin e kanë filluar menjëherë para Vitit të Ri, si edhe vendet tjera të BE-së. Ndërsa Serbia fqinje me furnizim individual, siç njoftohet, gjithashtu është furnizuar me vaksina para dhjetë ditëve.
Klan Macedonia