Një rrugëtim maratonë mes perlave të muzikës popullore dhe shesheve të mbushura përplot.

Kështu mbërriti në zemër të shqiptareve këtë verë, Maratona e katërt e këngës popullore qytetare, me një turne njëmujor dhe plot 12 koncerte nëpër qytete të mëdha e të vegjël, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë.

Një turne veror që Televizioni Klan dhe Promotor ua kushtuan shqiptareve për të dytin vit radhazi.

Pandi Laço: “Me formatin e turneut është gjetur çelësi i vërtete i maratonës. Muzika popullore është diçka që ka nevojë për një kontakt masiv, ka nevojë për kontaktin me publikun i cili e përcjell atë”.

Bledar Laço: “Maratona e këtij viti do të mbahet mend sidomos për numrin e madh të këngëtareve pjesëmarrës, me siguri që sivjet do të kemi më shumë këngë hite, nga ato që do të qëndrojnë gjatë nën audicionin e publikut”.

Maratona e këngës popullore ishte një arritje edhe sa i përket bashkëpunimit për të sjellë një eveniment artistik argëtues, që përçon kudo vlerat e muzikës tradicionale.

Falë këtij bashkëpunimi ajo pati një shpërndarje të gjerë, për të cilin flasin dy bashkëproducentët e këtij projekti të madh, Pandi e Bledar Laço.

Pandi Laço: “Kshu psh këtë vit për herë të parë ne ishim në Patos, për herë të parë ishim në Strugë, që janë qytete relativisht të vogla dhe them që një nga sukseset e maratonës që shpresoj të zhvillohet çdo vit, ashtu edhe vitin e ardhshëm do të jetë për të çuar këtë muzike, për të çuar këtë projekt në qytetet e vogla, sepse janë qytete që nuk kanë jetë artistike shumë të pasur”.

Bledar Laço: “Këtë vit fluksi i koncerteve ishte pak më i lartë se ai i një viti më parë. Ne arritëm që të realizonim edhe tre koncerte në javë. Ne dilnim nga një situate zgjedhore, kshu që sheshet ishin tej mbushur nga mitingjet politike, ne duhet t’i sugjeronim publikut diçka tjetër, mbrëmje më festive dhe më argëtuese. Por sigurisht ia mbërritëm edhe me mbështetjen e çmuar të bashkive, Ministrisë se Kulturës pa diskutim, të sponsorëve tanë dhe besoj që kemi arritur të sjellim pak alegri dhe festë në qytetet tona”.

Maratona e këngës popullore ishte ngjarje e rëndësishme edhe për dy prezantuesit e saj Drini Zeqo e Anjeza Maja, të cilëve iu besua për të dytin vit, drejtimi i këtij evenimenti muzikor mbarëkombëtar.

Drini Zeqo: “Për mua personalisht mbushja e shesheve nga ana e qytetarëve ka qenë një nga risitë le të themi të këtij aktiviteti i cili ja doli mbanë edhe njëherë që të çonte muzikën popullore qytetare në zemrat e të gjithëve”

Anjeza Maja: “Jam ndjere e privilegjuar që kam qenë pjesë e një koncerti kaq popullorë siç është maratona e këngës popullore e qytetar. Kam pas mundësinë të shoh sheshe të tej mbushura plot e përplot”.

Si në një maratone të vërtete gjatë 12 koncerteve u ngjiten e ringjitën nëpër skenat e qyteteve plot 50 këngëtar, që përcollën këngë të njohura apo të krijuara rishtas.

Pandi Laço: “Përsa i përket këngëve të maratonës, janë synuar dy drejtime: E para përzgjedhja e perlave të muzikës popullore, të cilat risillen në kohë me orkestracione të reja, por për të sjelle dhe këngë të reja hite të reja, dmth krijimtari të re të mirëfilltë popullore”.

Drini Zeqo: “Audienca ka treguar dhe njëherë që muzika nuk është e harruar, është gjithmonë në fokus të vëmendjes pavarësisht se rryma të reja muzikore ndonjëherë e kaplojnë muzikën popullore. Megjithatë dua të them që tabani kombëtarë është shumë i rëndësishëm dhe është mirë që të risillet në vëmendje”…./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani