Një fëmijëri e kaluar mes rrugicave në një lagje të Tiranës së viteve ’80, lojërave dhe në një shtëpi përdhese me oborr, është përmbledhja që i bën Drini Zeqo në programin “Rudina” në Tv Klan kësaj periudhe të shkuar. Në fotot që shfaqen, shohim një djalë të vogël,  duke pozuar herë te shatërvani, herë te sheshi “Skënderbej” apo në plazh, me flokët e dendur kaçurrelë.

Në gëzimin e tij të fëmijërisë, u shtua edhe motra, Bora. Spikeri i Tv Klan e kujton me shumë dashuri momentin kur e mori në duar për herë të parë dhe i vendosi emrin.

Drini Zeqo: Ka qenë shtëpi përdhese, me oborr shumë të madh. Kalohej  shumë bukur koha. Ka qenë fëmijëri e lumtur, e qetë, e bukur. E kam shijuar. Ardhja në jetë e motrës ishte kur unë kam qenë 7 vjeç, edhe ky moment i bukur. Unë ia kam vënë emrin motrës sime, quhet Bora.

Rudina Magjistari: Sa bukur!

Drini Zeqo: Bora, kur erdhi në shtëpi, nuk e di a e kam treguar këtë, por erdhi dhe atëherë ishte tradita që zonjat, gratë kur lindnin merreshin me një taksi ose makinë që mund ta njihte dikush dhe e merrnin nga materniteti dhe e sillnin në shtëpi. Mbaj mend mamin kur e solli, ishte e mbështjellë me pelenat dhe ishte një gjë kaq, ishte si top bore. Thashë unë qenka si top bore! “Top bore, top bore”, ngeli Bora dhe ajo sot e ka emrin Bora./tvklan.al