Fillimi i sezonit të ri në Tv Klan shënoi rikthimin e Drini Zeqos. Spikeri u pozicionua sërish në studion e lajmeve, në edicionin kryesor informativ të orës 19:30. Në përshëndetjen e tij të parë për shikuesit pas rikthimit, Drini u shpreh se “ndihej tërësisht si në shtëpi”.

Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe në programin “Rudina” dhe tregon se vendimi i palëve për të bashkëpunuar erdhi fare natyrshëm.

Drini Zeqo: Rikthimi ishte si në shtëpi. Shumë e çuditshme, dje po flisja me një  kolegen time që  punon në një televizion tjetër dhe ishte duke më parë dje në lajme. Më kishte çuar një mesazh, më kishte çuar një foto timen në lajme. Më tha “shumë e çuditshme, ti sikur nuk është shkëputur koha fare, pavarësisht periudhës që nuk ishe në Klan, asgjë nuk ka ndryshuar dhe ky rikthimi është kaq i natyrshëm”. Në fakt, me thënë të drejtën, kur e diskutuam edhe me drejtuesit e Televizionit Klan për ribashkëpunimin, të gjithë ishim dakord që është diçka që vjeen shumë natyrshëm dhe pse jo, mos ta rinisim edhe njëherë vazhdimin e rrugës aty ku e lamë.

Duke u ndalur edhe te shkëputja duke provuar formate të tjera, Drini tha se eksplorimi dhe eksperiencat e reja janë të nevojshme.

Drini Zeqo: Thjesht kam dashur të provoja disa gjëra që doja t’i provoja dhe t’ia jepja vetes këtë mundësinë. Pastaj shiko, puna në televizion duket shumë shkëlqim dhe duket sikur është shumë larg thjeshtësisë, por në fakt kjo është një punë e thjeshtë. Është si çdo profesion tjetër, edhe ky ka ato gjërat që shkojnë, që nuk shkojnë, kështu që përballemi edhe ne çdo ditë me gjëra të vogla.

Krahas edicionit informativ në Tv Klan, Drini drejton edhe hapësirën e një programi në Klan News, kryesisht të lidhur me temat e aktualitetit, intervista e lidhje direkte./tvklan.al