Ndalesa e radhës së  “Maratona e Këngës” ishte në qytetin e Vlorës. Në sheshin e qytetit,  aty ku nis “Lungomare”, këngëtarët e traditës dhe muzikës moderne i dhuruan vlonjatëve dhe pushuesve të shumtë një mbrëmje të mbushur me muzikë të bukur shqiptare.

Edhe këtë herë, në Vlorë, nuk mungoi interesi i përhershëm për spektaklin “Maratona e Këngës”. Ndërkohe që audienca e Televizionit Klan vendosi një shifër shumë të lartë shikueshmërie në transmetimin e mbrëmjes së maratonës në Gjirokastër, në sheshin e Vlorës u vendos skena gjigande e edicionit të nëntë të “Maratona e Këngës”.

Vlonjatë e pushues, mezi pritën fillimin e koncertit, ku si gjithmonë skaleta ishte e pasur me  artistë të muzikës tradicionale, grupe, por edhe këngëtarë të rinj të muzikës moderne me hitet verore.

Nuk munguan artistët vlonjate, që janë protagonistë të përhershëm të kësaj ngjarjeje muzikore, duke filluar nga “Revolt Klan” e duke vazhduar me Silva Gunbardhi, Rovena Ibrahimi e Maya. Por duartrokitjet e shikuesve i morën edhe pjesëmarrësit e tjerë të këtij koncerti, të cilët bënë që sheshi të gjëmojë nga vallja e ritmet muzikore.

Rreth 35 emra të suksesshëm të muzikës dhe këngëtarë më të rinj, shkëmbyen stafetën deri pak pas mesnate. Megjithëse publiku mikpritës vlonjat  ishte i vendosur të qëndrojë në sheshin e koncertit për të përcjellë deri prezantimin e artistit të fundit në program.

TV KLAN