Nën hijen e gjelbër të Kodrës së Krastës, në lindje dhe kalasë karakteristike mu në zemër të qytetit, bulevardi i Elbasanit duket ndryshe këtë pasdite vere.

Është e më se e ndjeshme që këta qytetarë të mbetur këtu, nga të tjerët që kane vërshuar drejt detit, përveç një kafeje nëpër baret rreth e qark shëtitores nuk kanë arsye tjetër për të dalë nga shtëpitë.

Ndaj nuk është e tepërt të thuash se pas gjallërisë se 14 marsit, Ditës së Verës, mbërritja e maratonës së këngës popullore dhe qytetare, ka kthyer festën në qytet.

Një vit më parë maratona nisi rrugëtimin e saj muzikor, me tërë stafin krijues të Televizionit Klan dhe promotor, pikërisht këtu, në zemër të Shqipërisë. Këtë vit  Elbasani shënon natën e tretë të saj.

Krejt bulevardi është i pushtuar nga përgatitjet për koncertin e radhës. Logot e Klan duken gjithkund. Kamerat janë vendosur në çdo pjesë të qendrës së qytetit, për të marrë nga çdo kënd, emocionin e një nate të gjatë.

Kur çdo gjë është gati, momenti i nisjes së maratonës për këtë qytet shënohet edhe nga kulla e Sahatit, një nga monumentet më karakteristike të tij.

Maratona e Elbasanit u çel me një këngë të njohur për banoret e qytetit nga çifti elbasanas Englantina Doko dhe Altin Ranxha.

Edhe në Elbasan si në Gjirokastër e Sarandë, maratonës së këngës iu bashkuan 41 këngëtarë nga qytete të ndryshme të vendit, që përcollën për të gjithë publikun në shesh këngët më të mira tradicionale.

Skena u pushtua nga tingujt dhe motivet tradicionale nga të gjitha qytetet e vendit, që nga jugu në veri.

Emra të njohur dhe të rinj, interpretuan në këtë shesh të mbushur si rrallëherë, duke i përmbushur edhe motivin e vërtetë të maratonës së këngës popullore.

Marjola Kaçani: “Është hera e parë që unë marr pjesë në maratonë. Unë e kam pasur pasion dhe e kam pasion, pse mos të kesh pasion një këngë që sjell kaq gëzim kaq hare tek të gjithë njerëzit.”

Greta Tafa: “Kam bërë shumë, shumë përpjekje për të arritur deri këtu, e kisha shumë pasion dhe ai arrita. Ndihem shumë mirë.”

Kujtim Shehu: “E vlerësoj shumë këtë eveniment dhe vendosa të marr pjesë në një kompozim të Shpëtim Saraçit “Lulja s’flijon”.”

Arif Vladi: “Çdo komb pasaportë të vërtetë ka traditën, këngën e vet, folklorin dhe historinë.”

Kënga popullore ka qenë gjithnjë një pjesë e rëndësishme e jetës artistike të qytetit. Ndaj disa nga hitet e këngëtarëve elbasanas janë përpunuar pikërisht për maratonën, nga kompozitori Edmond Rrapi.

Edmond Rrapi: “Elbasani është kryeqyteti i muzikës popullore shqiptare dhe është hera e dytë, eksperienca e dytë që provoj me kompozimin e këngës popullore.”

Ngjyrave të muzikës popullore do t’i visheshin edhe veshjet aq tradicionale, vallet, duke e kthyer skenën në një përqafim të natyrshëm mes muzikës dhe etnosit shqiptar, që ndezën edhe spektatorët që kërcenin nën ritmin e këtyre tingujve.

“Elbasani është bërë akoma më i bukur, faleminderit shumë.”

Nën drejtimin e Anjeza Majës dhe Drini Zeqos, maratona e këngës popullore mbajti zgjuar Elbasanin për disa orë rresht, duke i dhënë jetë qytetit në këtë natë vere. Dhe sërish nga sahati i qytetit do të shënohej edhe fundi i koncertit, që ndalesën maratonë të radhës, do ta ketë në Kukës, më pas në Durrës, Vlorë e Ulqin, për të përmbushur kështu atë imazh të maratonës së këngës popullore, si një jehonë që vjen nga tradita për të jetuar dhe rijetësuar gjithmonë brez pas brezi./tvklan.al