Pak ditë pasi partia e saj përfundoi në vend të tretë për nga numri i deputetëve, pas përpjekjes së përbashkët të të majtëve dhe liberalëve të presidentit Macron për të shmangur ardhjen në pushtet të nacionalistëve, Marine Le Pen po përballet me një hetim të ri.
Mediat franceze shkruajnë se prokurorët kanë nisur një hetim të ri për financime të jashtëligjshme për Marinë Le Penin dhe partinë e saj të së djathtës radikale “Tubimi Kombëtar”. Prokurorët janë hermetikë në dhënien e detajeve për mediat, që megjithatë shkruajnë se shkeljet kanë të bëjnë me fondet e fushatës presidenciale të vitit 2022, hera e tretë që ajo garoi për presidente të Francës.
Hetimi bazohet mbi një raport të Komisionit për Llogaritë e Fushatave dhe Financimet Politike që monitoron dhe rregullon shpenzimet e partive politike.
Ish-drejtuesja e Tubimit Kombëtar, ndërkaq pritet të dalë para Gjykatës në Shtator për një tjetër akuzë për përvetësim të të paktën 620 mijë eurove në emër të partisë së saj. Nëse shpallet fajtore ajo rrezikon nga 10 vite burg deri në ndalimin e marrjes së posteve publike për një periudhë afatgjatë, çka mund ta ndalojë të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të radhës në 2027-ën.
Tv Klan