Gjykata e Posaçme i ka komunikuar masën “arrest me burg” caktuar në mungesë ndaj, Marklen Hakës arrestuar paraditen e së premtes në Nikël nga Policia e Tiranës dhe RENEA.
I vënë në akuzë për tentativë vrasje dhe posedim të armëve pa leje, Haka ka mohuar pretendimet e SPAK.
Sipas këtyre të fundit, bazuar dhe në bisedat e zbërthyera nga platformat e komunikimit SKY, Haka ka patur rol aktiv në organizimin e vrasjes së Durim Bamit, në të paktën dy raste, një prej të cilave në Nëntor të 2020, atentat ky i dështuar.
Vetë i “forti” i Niklës në seancën e zhvilluar ka mohuar se ka patur akses në aplikacionin SKY, si dhe ka mohuar të ketë konflikte.
Marklen Haka i njohur dhe me mbiemrin Aliu, konsiderohet nga autoritetet si një nga njerëzit kryesor të botës së krimit në Shqipëri dhe ishte në listat e të shumëkërkuarve të policisë.
Për disa muaj ai u fsheh në Dubai pasi u shpall në kërkim me kërkesë të SPAK dhe ka hyrë ilegalisht në Shqipëri disa javë më parë.
Gjatë arrestimit të tij, në pranga u vu dhe një 21-vjeçar, që strehonte të shumëkërkuarin në banesën e tij në Nikël.
Tv Klan