Klan News raporton se policisë shqiptare i ka ardhur një informacion nga Dubai për ndalimin e një personi që dyshohet se është Marklen Haka.
Sipas asaj që ka mësuar gazetari Besar Bajraktaraj, policia shqiptare i ka dërguar të dhënat homologëve në Dubai për të bërë krahasimet nëse bëhet fjalë për Hakën, apo ndonjë person tjetër.
Kujtojmë se Marklen Haka është në kërkim për dosjen “Revanshi” nga SPAK. Ai akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrës në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Vetë 33-vjeçarit Haka i ka shpëtuar 2 atentateve. Në vitin 2022 ai u qëllua me një plumb në nofull. Në 2019, i shpëtoi një atentati në derën e shtëpisë, por si pasojë e të shtënave humbi jetën halla e tij.
Po në vitin 2022 ai ishte ndaluar nga policia sepse u kap me pistoletë, por arresti zgjati shumë pak dhe u lirua nga gjykata. I skeduar si pjesë e grupeve kriminale në Nikël, ai në 2011-n ka qenë i arrestuar si i dyshuar edhe për një vrasje në ish-Bllok, por fitoi lirinë për mungesë të provave.
E këtu dolën në pah aleancat e krimit, interesat e tyre dhe bashkimi i forcave për ekzekutimin e kundërshtarëve.
Një prej këtyre aleancave ishte edhe ajo me Ervis Martinajt dhe ish-deputetit Arben Ndoka për të kryer vrasjen e Durim Bamit, një eksponent i njohur në botën e krimit.
Ndoka donte ta vriste Bamin në shenjë hakmarrjeje pasi dyshonte se ishte një nga ekzekutorët e vëllait të tij në vitin 2017./tvklan.al