Prej disa ditësh grupi i punës i ngritur nga Rama për të bërë ndryshimet në statut ka shpërndarë një pyetësor për anëtarësinë socialiste ku përveç të tjerash i kërkon atyre mendim nëse duhet të institucionalizohet “ E drejta për oponence kolektive” e organizuar në nivelin e organeve qendrore të partisë”.

Marko Bello, pjese e grupimit të njohur si oponentët e kryesocialistit, edhe pse e sheh si pozitiv faktin që po bën përpjekje për të lejuar mendimin ndryshe sërish shprehet se ka rezerva për motivin e vërtetë të kësaj nisme të Ramës.

Marko Bello: “Ky është një gjë pozitive për hir të së vërtetës, sepse është ajo që ne kemi kërkuar në një parti të madhe si në PS, ku mendimi ndryshe kufizohet, ku ka tendenca të qarta për imponimin e shumicës. Oponenca kolektive shpëton partinë nga një skizmi tjetër siç ndodhi në vitin 2003-2004 kur ju e dini u krijua LSI. Është arsye që ne do ta mbështesim këtë gjë por shpresojmë dhe urojmë që kjo pyetje të jetë me sensin pozitiv dhe jo të jetë një kurth sa për tu dukur me fjalë si demokrat dhe pastaj të nxitet anëtarësia ta rrëzoj. Sepse rrëzimi dhe imponimi i shumicës i bën dëm vetë partisë”.

Pas daljes së tyre hapur kundër kryesocialistit, 5 deputetet e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe janë shmangur në të gjitha mbledhjet e fundit që Rama ka zhvilluar me grupin parlamentar socialist.

Madje ata nuk janë parë as në protestat që Rama po zhvillon në të gjithë Shqipërinë ku po kërkon votën e  tij.

Pesë deputetet kanë paralajmëruar se do të thyejnë bojkotin nëse iu rrezikohet mandate, çka në statutin e partisë për ta do të thotë përjashtim. I pyetur për këtë Bello komenton…

Marko Bello: “Nuk diskutohet që ne ndihemi të rrezikuar, por nuk është çështja te interesi personal edhe pse ky nuk duhet mohuar. Por do të thosha që nuk është mirë për një parti të madhe të frenonte do thosha mendimin ndryshe”.

Rivali i Ramës në zgjedhjet për kryetar Maqo Lakrori në platformën e tij zgjedhore hodhi në fakt idenë e Oponencës kolektive që në këndvështrimin e tij do të thotë shtimi i garancive strukturore për demokraci të brendshme në parti, si dhe shmangia e përçarjeve të reja.

Vete Rama kur kërkonte t’i merrte drejtimin e Partisë Socialiste Fatos Nanos në 2005, kërkoi sanksionimin e fraksioneve në parti, duke i meshuar fort kësaj pike si kryesore për demokratizimin e brendshëm të PS-së./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka