Në ditë më parë ish-deputeti Kastriot Islami është shoqëruar nga Policia e Tiranës, pasi është konstatuar pa maskë duke lëvizur në ambient të hapur. Pas shoqërimit Islami ka thënë se është keqtrajtuar nga efektivët, pasi ai ishte duke bërë vrap dhe dërgimi i tij në Komisariat ka qenë i pa drejtë.
Lidhur me këto deklarata të Islamit, Policia e Tiranës njofton se e vërteta është shumë ndryshe dhe sipas tyre ka qenë ish-deputeti që ka fyer efektivët.
“Në mënyrë të përsëritur shtetasi Kastriot Islami është prononcuar publikisht me pretendimin që Policia e Shtetit e ka keqtrajtuar. E vërteta është se ky shtetas ka keqtrajtuar punonjësit e patrullës policore me një fjalor shumë të ulët”, deklaron Policia.
Më tej blutë e Tiranës sqarojnë se “Kastriot Islami është ndaluar nga patrulla e Përgjithshme si një kalimtar pa maskë. Ai menjëherë ka lëshuar ndaj punonjësve të policisë fjalë të ulëta, duke pretenduar se ai ishte një figurë publike që nuk mund të ndalohej prej tyre. Madje shtetasi i ka kërcënuar punonjësit e policisë, që “do ta shihnin pas 25 prillit, si të gjithë zagarët e Ramës”!”
Më tej Policia njofton se pas kësaj ndodhie, efektivët janë detyruar që ta shoqërojnë Islamin në komisariat dhe i është komunikuar gjoba për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse.
“Duke hedhur poshtë akuzat e fabrikuara nga shtetasi Kastriot Islami për Policinë e Shtetit dhe shprehur keqardhjen për fjalorin e tij ndaj punonjësve tanë, gjejmë rastin të theksojmë se Policia e Shtetit nuk i shërben politikës por ligjit”, përfundon deklaratën Policia e Tiranës./tvklan.al