Dy vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pushteti dhe opozita ne Maqedoni japin vlerësime kundërshtuese lidhur me nivelin e zhvillimit të marrëdhënieve të deritanishme mes dy vendeve.

Përfaqësuesit e partive në pushtet vlerësojnë se marrëdhëniet e deritanishme mes dy vendeve janë zhvilluar në nivel të kënaqshëm.

Tahir Hani: “Republika e Maqedonisë vendosi marrëdhëniet diplomatike dhe njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës”.

Sillvana Boneva: “Nuk mund të themi se nuk ka pasur mundësi të bëhet edhe më tepër, por në këtë periudhë dy vjeçare Maqedonia ka bërë shumë në zhvillimin e raporteve me Kosovën.”

Brenda këtyre dy viteve Maqedonia ka njohur pavarësinë e Kosovës, kurse janë vendosur edhe marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, mirëpo përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se Maqedonia nuk ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë për bashkëpunim me Kosovën posaçërisht në sferën e ekonomisë.

Suljeman Rushiti: “Prandaj inkurajojmë ato që për momentin kanë pushtetin në Republikën e Maqedonisë, që Kosovën ta shohin si një aleat dhe jo si një kundërshtar në proceset e eurointegrative”.

Vllado Buçkovski: “Mendoj se Republika e Maqedonisë duhet të punojë më tepër në avancimin e bashkëpunimit në lëmin e energjetikës për shkak të resurseve të mëdha që i posedon Kosova”.

Me rastin e ditës së pavarësisë së Kosovës edhe sivjet në Shkup do të organizojmë manifestime të ndryshme.

Lëvizja qytetare “Zgjohu” për herë të dytë do të organizojë manifestimin Dita e Plisit, kurse komuna e Çahirit do të organizojë koncert madhështor në sheshin Skënderbeu në Shkup.

Nga Shkupi për Tv Klan, Isen Saliu./tvklan.al