“Çfarë të bëj unë me strukturën e ngritur për refugjatët? Pse nuk dëshmojnë ato futurizmin!”

Me këto batuta humoristike nisi mbrojtja e paktit Rama-Meloni në televizionin publik italian.

Giorgia Meloni: Kjo është një përgjigje që mund të jepej vërtet nga kryeministri Rama sepse ai veç të tjerave është artist madje i vlerësuar, përveç mijëra gjërave që bën.

Meloni e ka konsideruar sërish paktin me Ramën si zgjidhja e vetme funksionale që dekurajon ardhjen e klandestinëve nga Afrika drejt BE-se.

Giorgia Meloni: Nëse ti emigrant i paligjshëm që paguan skafistët për të ardhur në Itali dhe me këtë marrëveshje gjendesh jashtë kufijve europianë, kjo është pengesa më e madhe që mund të të vendosim. Dhe për të parën herë kam marrë kërcënime me jetë nga trafikantët e qenieve njerëzore.

Sulmet që i bëhen kësaj marrëveshjeje nga opozita italiane, i konsideron thjesht politike.

Girogia Meloni: Partia Demokratike po kërkon të ndëshkojë italianët, pse nuk votuan për ta.

Ajo kritikoi edhe dërgimin e dekretit të qeverisë italiane nga Gjykata e Bolonjës në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.

Giorgia Meloni: Argumentimi i Gjykatës së Bolonjës i ngjan më tepër një fletushke propagandistike, sesa një argumentimi ligjor. Përmendja e Gjermanisë fashiste nuk vlen. Edhe Italia e sotme ka probleme në pjesë të saj dhe ata mund ta konsideronin vend të pasigurt. Bangladeshi dhe Egjipti janë shtete të pasigurta me miliona banorë që synojnë brigjet tona sepse janë shtete me probleme në pjesë të territorit të tyre.

Sipas Gjykatës së Bolonjës, dekreti i 21 Tetorit që shpalli 19 vende të sigurta origjine për t’i hapur rrugë zbatimit të marrëveshjes me Shqipërinë, bie ndesh me ligjet europiane.

Klan News