Lulzim Basha gjatë një konference për shtyp teksa u pyet lidhur me marrëveshjet mes PD dhe PS të vitit 2008 dhe 2017 sa i takon ndryshimeve kushtetuese, të quajtur ‘pazar’ u shpreh se këto qëndrime të tij janë publike. Ai theksoi se marrëveshja e 2008 u bë për të kufizuar depërtimin e personave me rekorde kriminale, teksa kjo gjë jo vetëm që nuk u arrit, por ky numër u rrit.

Ndërsa pyetjes lidhur me marrëveshjen e vitit 2017 teksa u pyet a e quan edhe atë një marrëveshje ‘pazar’ pasi është bërë jashtë kamerave Basha u shpreh se kjo marrëveshje nuk ka asgjë jotransparente, pasi është publikuar në të njëjtën orë nga të dyja partitë PS dhe PD dhe është përshëndetur nga të gjithë.

-Në fakt ju jeni distancuar nga marrëveshja e vitit 2008 sa i takon ndryshimeve kushtetuese, por kur e keni kuptuar ju që marrëveshja e vitit 2008 ka qenë një ‘pazar’? Pra kur keni qenë në krahë të Sali Berishës para se ai të shpallej non grata apo në momentin që u vendosët përballë tij dhe a mund ta konsideroni ju marrëveshjen e vitit 2017 që është bërë jashtë kamerave dhe jashtë publikut me Edi Ramën një ‘pazar’?

Lulzim Basha: Qëndrimet e mia për 2008 janë publike, janë edhe në arkivat tuaja, sigurisht me to edhe ndjesia e ndjesës ndaj shqipatarëve sepse unë kam qenë në grupin parlamentar të Partisë Demokratike që i votoi këto ndryshime. I votuam sepse në dritëhijet e asaj marrëveshje në veçanti të pjesës elektorale shikonim mundësinë për të kufizuar depërtimin e personave me rekorde kriminale të cilët në atë kohë e gjenin një rrugë përmes sistemit maxhoritar. Sigurisht që ky ishte një iluzion pasi personat me rekorde kriminale jo vetëm nuk u ulën si numër, por u rritën si numër dhe ne prej 2016 kemi propozuar vettingun e politikanëve dhe listat e hapura. Unë kam mbështetur maxhoritarin e pastër. Lista e hapur, me votim preferencial është një kompensim edhe për maxhoritarin dhe për heqjen diabolike të koalicioneve në 2021. Sa i takon 2017 nuk ka asgjë pa transparente. Marrëveshja është publikuar në të njëjtën orë nga të dyja partitë PS dhe PD. Është përshëndetur nga të gjithë protagonistët e kohës. Disa prej tyre nuk e panë vetën në listat e Partisë Demokratike dhe pas kësaj nisën të sulmonin marrëveshjen e 2017./tvklan.al