Lëvizje e lirë e njerëzve, mallrave e kapitalit

Në përfundim të samitit të Minishengenit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë dakordësuar disa çështje që kanë si qëllim avancimin në rrugën drejt anëtarësimit të tyre në Bashkimin Europian.

Në deklaratën e Kryeministrisë sonë thuhet se këto tre vende kanë rënë dakord për lëvizjen e lirë të mallrave, ku propozohet që mjetet të ndalohen vetëm në një doganë.

Një tjetër marrëveshje pritet të konkretizohet edhe për lëvizjen e qytetarëve. Është rënë dakord që secili anëtar i Ballkanit Perëndimor duhet të lejohet të jetojë, udhëtojë dhe punojë si vendas, duke kontribuar në krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik. Këto tre shtete synojnë që të nënshkruajnë këtë marrëveshje deri në fund të Janarit 2020.

Tre vendet kanë rënë dakord gjithashtu për krijimin e një strukture rajonale për emergjencat civile. Konkretizimi i këtyre hapave pritet të fillojë që në samitin e Beogradit që do të mbahet më 6 Janar.

Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut i kërkojnë përfaqësuesve nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, që t’i bashkohen këtyre nismave.

Tv Klan