Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Është nënshkruar sot pasdite në Ministrinë e Transporteve, në praninë e ambasadorit të SHBA në Tiranë Josef Limpreht dhe në prani të ministrit të ri të Transporteve, Viktor Doda, kontrata me vlerë 1.6 milion dollarë që financohen nga Agjencia e SHBA për Tregti dhe Zhvillim, në ndihmë të hekurudhave shqiptare. Vlera e nënshkruar sot prej 1.6 milion dollarësh është pjesë e grantit të qeverisë së SHBA-së.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj kontrate midis kompanisë amerikane dhe General Elektrik dhe përfaqësuesit të hekurudhave shqiptare, vetë ambasadori Limpreht u shpreh, se granti i SHBA në mbështetje të kësaj kontrate është vetëm një në serinë që investimet amerikane kanë përfshirë infrastrukturën e transportit shqiptar. 1.6 milion dollarët e akorduara sot, do të përdoren për ndërtimin e sistemit modern të radio komunikimit në hekurudha, i cili në vendin tonë pothuajse mungon./tvklan.al