Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Që në orët e para të mëngjesit, udhëtarëve u është dashur të përdorin trenat për të lëvizur nga Tirana drejt qyteteve të tjerë, kanë gjetur një situatë krejt të ndryshme nga ditët normale në stacionin e trenave. Masat u përforcuan me urdhër të Ministrisë së Rendit, e cila reagoi kështu pas aktit terrorist që këtë herë goditi Spanjën në kryeqytetin e saj.

Forcat speciale, në bashkëpunim me forcat e policisë së rendit dhe atë kriminale, kanë kaluar në kontroll të imët vagonët që janë nisur nga kryeqyteti, si dhe ata që kanë pasur si destinacion Tiranën. Edhe këtu, elementi kryesor ishte qeni që nuhat eksplozivin.

Ky është treni i linjës Tiranë-Elbasan, i cili iu nënshtrua kontrollit të policisë para nisjes. Fluksi i personave që kanë përdorur autobusët në kryeqytet, ka qenë i njëjtë si në ditët normale, ndërkohë që nuk është fare e nevojshme të ketë të pranishme forca policore.

Në rrugën “Skënderbej”, në bllokun e ambasadave ku masat e ruajtjes janë përforcuar muaj më parë që nga dita e djeshme është vendosur një tjetër rregull. Qytetarët që kalojnë aty dhe objektet që ata mbajnë i nënshtrohen kontrollit me skaner. Ashtu siç ishte e parashikuar në vëzhgim dhe ruajtje të rreptë, do të jenë edhe vendet ku ka grumbullime të mëdhenj njerëzish.

Pranë stadiumit “Qemal Stafa” bie në sy rritja e numrit të punonjësve të policisë ndërsa konfirmohet edhe prania e agjentëve të SHISH. Ministria e Rendit Publik ndërkohë ka konfirmuar, se edhe gjatë ditës së nesërme veçanërisht në Tiranë, ku do të festohet Dita e Verës, masat e sigurisë do të jenë po kaq të rrepta./tvklan.al