Më 9 Shkurt 2006 bëri bujë masakra e Kozares në rrethin e Beratit, ku një familje e tërë u shua. Tre anëtarët e familjes, Shpëtim Marra, gruaja e tij Florije Marra dhe djali i tyre i mitur Artiol Marra u vranë me armë zjarri. Në atë kohë, gruaja Florije Marra ka qenë edhe shtatzënë 3-4 muajshe.

Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka rindërtuar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Bazuar edhe në tabelën fotografike, provat dhe evidencat e dosjes së policisë dhe prokurorisë, “Uniko” ka realizuar grafikisht përmes skemës 3D të gjithë ngjarjen.

Tre anëtarët e familjes Marra kanë qenë brenda shtëpisë së tyre. Një person i armatosur me kallashnikov ka hyrë brenda banesës private dhe ka hapur zjarr me breshëri duke i lënë të gjithë të vrarë.

Shpëtim Marra dhe djali i tij Artiol kanë qenë të ulur në divan. Ndërsa gruaja, Florije Marra ishte pranë sobës. Emisioni Uniko disponon të gjithë dosjen hetimore dhe tabelat fotografike të momentit kur u gjetën të vrarë, por në respekt të familjarëve dhe për shkak se pamjet janë tepër të rënda, ka vendosur të mos i publikojë. Për këtë arsye, stafi i emisionit ka bërë ndërtimin grafik të ngjarjes së rëndë bazuar pikërisht mbi tabelën fotografike që është në dosjen hetimore.

Si autor i kësaj masakre është dënuar me burgim të përjetshëm Luan Marra, vëllai i Shpëtim Marrës. Luan Marra e mohon kategorikisht krimin. Po kështu edhe familja e tij, të cilët për emisionin Uniko kanë thënë se Luani nuk është autor i vrasjes së vëllait të tij, kunatës dhe nipit. Por, sipas tyre, ekzekutori është një person tjetër nga fisi Marra. /tvklan.al

EPISODI 2

EPISODI 1