Vrasja e Eduart Reçit mbrëmjen e së enjtes në Tiranë ka tronditur opinionin publik. Deri më tani motivet dhe autorët e kësaj ngjarje mbeten mister.

Gazetari Spartak Koka zbuloi gjatë emisionit “Opinion” një detaj në lidhje me viktimën 52-vjeçare. Ai u shpreh se 13 vite më parë, ekzaktësisht më 13 Nëntor (data që u vra), Reçi është dhunuar nga 6 persona, 3 prej të cilëve janë identifikuar.

Nga kjo ngjarje, e cila ka ndodhur ekzaktësisht 13 vite para vrasjes së tij, Reçi ka pësuar dëmtime të rënda. Shkak i kësaj ngjarjeje dyshohej konfliktet e pronësisë. Prandaj sipas gazetarit Koka, kjo pistë duhet marrë në konsideratë nga policia.  

Spartak Koka: Rastësi ose jo 13 vjet më parë, në të njëjtën datë, 13 Nëntor, në drekë, Eduart Reçi ka denoncuar se në vendin e quajtur Rruga e Elbasanit, brenda një banese private, 3 shtetas, 6 në total, por 3 të identifikuar, shtetasi me iniciale N.P, X.B, S.A dhe tre persona të tjerë e kanë goditur me grushta, me shkelm, me mjete të forta, të zotin e shtëpisë Eduart Reçi dhe nipin e tij, E.M.

Blendi Fevziu: 13 vjet më parë?

Spartak Koka: Ekzaktësisht 13 vjet më parë, më 13 Nëntor. Më 13 Nëntor është vrarë dhe ai ditën e djeshme.

Blendi Fevziu: I di policia këto?

Spartak Koka: I di sepse nga policia e kam marrë unë këtë informacion.

Blendi Fevziu: 13 vjet më parë në të njëjtën datë?

Spartak Koka: Është bërë denoncim në komisariatin numër 1. Dëmtimet kanë qenë të shumta. Dëmtimet trupore tek Eduart Reçi kanë qenë të shumta dhe tek nipi i tij. Dyshohej në atë kohë për një problem në raport me pronësinë, pasi Eduart Reçi i ka vënë në dispozicion policisë edhe dokumentacionin përkatës me njërin prej personave me të cilin ka pasur problematikë. Është bërë kallëzim, është bërë aktekspertimi mjekoligjor. Unë e kam të paqartë sot, policia mund ta konfirmojë më mirë, se çfarë ka ndodhur me këtë ankesë? A është zgjidhur ky konflikt pronësie? Të vetmin problem që është zgjidhur ka pasur një goditje të një punonjësi të Kadastrës në vitin 2014, në mos gaboj. Një nga elementët që është kryesor në këtë konflikt janë çështjet e pronësisë. A mund të jenë çështje si kjo e 2011, a mund të jenë çështje të tjera, një nga pistat që duhet marrë në konsideratë është çështja e pronësisë./tvklan.al