Një shqiptare, e cila dyshohej si e përfshirë në furnizimin me armë të autorit të sulmit terrorist në Nice, në juglindje të Francës në 2016 -n, ku mbetën të vdekur 86 persona, është liruar nga burgu.
Enkelejda Zaçe, një 43 – vjeçare me kombësi shqiptare dhe franceze mësohet se është lënë e lirë më 21 Nëntor, por lajmi nuk është bërë publik.
Sipas “
The Quebec Telegram”
, zyra e prokurorit në Paris e ka apeluar këtë vendim.
Ajo u arrestua më 17 Korrik të 2016 -s, në Nice, sëbashku me të dashurin e saj po shqiptar, Artan Henaj.
Ekzaminimi i gjurmëve, në veçanti telefonit të lënë nga vrasësi Mohamed Lahouaiej Bouhlel, çoi shumë shpejt tek një seri të dyshuarish, përfshirë shqiptaro – francezen Zaçe.
Autoritetet dyshonin se ajo e kishte pajisur Bouhlel me një pistoletë automatike dhe një automatik. Ndërmjetës për këtë kishte qenë një franko-tunizian, Ramzi Arefa.
Që prej asaj kohe 9 persona janë arrestuar, 8 prej të cilëve mbeten në burg. Ata akuzohen për vepra të ndryshme, kryesisht për ndihëm që i dhanë autorit të sulmit në Promenade des Anglais, autorësinë e të cilit e mori grupi xhihadist ISIS.
Mohamed Lahouaiej Bouhlel, një 31 – vjeçar tunizian që punonte si shofer kamioni, i mori jetën 86 personave dhe la të plagosur më shumë se 400 të tjerë, pasi hyri me kamion në një turmë me njerëz mbrëmjen e festimeve të 14 Korrikut 2016, festës kombëtare franceze. Ai hapi gjithashtu zjarr në drejtim të oficerëve të policisë përpara se të qëllohej për vdekje.
Shumë hije mbeten ende të pa zbuluara nga kjo ngjarje e rëndë. Autoritetet nuk gjetën asnjë send në pronësi të vrasësit që të sugjeronte lidhje të tij me grupin xhihadist dhe nuk ka asnjë provë që të përcaktojë se sulmi i Nice ishte i kontrolluar nga Shteti Islamik.
Sa i përket shqiptares,
“The Quebec Telegram”
shkruan se ajo është lënë në liri me kusht.
/tvklan.al