Shqipëria mban të hapur kufijtë për fqinjët
Në një kohë kur Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë konfirmuar zyrtarisht praninë e varianteve të reja të Covid-19, autoritetet shqiptare nuk kanë ndërmarrë asnjë masë shtesë për të kontrolluar lëvizjen e shtetasve nga këto vende. Në pikat kufitare tokësore nuk bëhet asnjë kontroll për personat që futen në Shqipëri, nëse kanë ose jo simptoma të koronavirusit.
Po nuk ndodh njëjtë me fqinjët! Autoritetet e policisë greke njoftuan këtë të martë se pika kufitare e Kapshticës do të vijojë të jetë e mbyllur deri në datën 22 Shkurt. Nga kjo pikë askush nuk mund të kalojë në drejtim të Greqisë. Ndërsa në drejtim të Shqipërisë mund të futen vetëm udhëtarët që e kalojnë atë në këmbë. Kalimi drejt Greqisë mund të kryhet vetëm nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës, vetëm për 750 persona në ditë.
Aktualisht shtetasit shqiptarë mund të lëvizin pa nevojën e një tamponi negativ vetëm në pikat kufitare që e lidhin me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
Tv Klan