Teksa kishte thirrur për dëgjesë rektorin e Universitetit Bujqësor, kryeministri nuk i ndali kritikat ndaj SPAK-ut.
“Kjo parti, kjo shumicë qeverisëse sot dhe nesër, kjo qeveri, unë personalisht, jemi të vetmit garantë të reformës në drejtësi. Jemi të vetmit garantë të institucioneve të reja të drejtësisë. Nuk kam absolutisht asgjë kundër hetimit. Nuk kam asgjë kundër hetimit. Të dalin të gjithë ata që kanë prekur qoftë edhe 1 Euro të buxhetit të shtetit, ama këto paraburgimit me një të rënë të lapsit dhe noterizimet në Gjykatën speciale me filozofinë që çfarë çojmë ne atje ata vetëm e firmosin patjetër se ne jemi Amerika këto nuk i pranoj më dhe nuk kam për ti pranuar më”, tha Edi Rama.
Prokurorët sipas kryeministrit po traumatizojnë punonjësit e administratës.
“Kemi ngritur një Prokurori Speciale për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Nuk kemi ngritur një institucion që të bëjë edhe Gjykatën Administrative, që të bëjë dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, që të bëjë dhe Inspektoriatin e Lartë të Deklarimeve të pasurive, që të bëjë edhe gjykatësin edhe prokurorin dhe kështu me radhë. Të mos kundërshtojnë sikur janë parti politike, të mos hyjmë në debate shifrash. Ata kanë punën e tyre, të mos merren me statistika, mos të merren me shifra, statistikat dhe shifrat dalin në fund. Ajo që ata duhet të garantojë është që fajtorët të shkojnë në burg, dhe të pafajshmit të mos traumatizohen për gjithë jetën”, tha Rama.
Solli shembull të intimidimit nga SPAK, rastin e një nëne me dy fëmijë.
“Kam informuar ministrin e Drejtësisë për një intimidim tjetër, të një nëne me dy fëmijë, të cilës i kërkohet të bëjë atë që nuk ka bërë. I thuhet o do pranosh këtë, ose do ta hash më keq sesa ata të cilët duhet ti zhysësh brenda. Po kostot financiare të gjithë kësaj, a duhet ti kemi parasysh apo jo? Duhet ti kemi pparasysh se cfarë po paguajnë shqiptarët për këtë përpjekje? Kjo është normale se kur paguan një prokuror dhe një gjykatës më shumë sesa presidenti apo deputetet do ti kërkosh edhe standarde se nuk shkon”, tha Edi Rama.
Rama shkoi më tej duke thënë se SPAK është kthyer në redaksi gazete duke menduar sikur janë parti politike.
“Për mua dhe Partinë Socialiste, SPAK-u, Gjykata Speciale rrojnë 1 mijë vjet, nuk i vjen e keqja dhe nuk i vjen shqetësim nga ne. Të mos ndjekin mediat sikur janë parti politike, të ndërpresin marrëdhëniet me gazetarët speciale të mos furnizojnë miletin me sekrete hetimore, të mos bëhen redaksi gazetash dhe të bëjnë punën e tyre. Sa herë kurdoherë, kudo qoftë që do të kapin korrupsion atë shpatën ta hapin krahun me të gjithë forcën, por korrupsion ama”, tha Rama.
Rektori tha se pedagogët e Bujqësorit janë të pafajshëm.
“Unë personalisht nuk mbroj asnjë person i cili mund të ketë abuzuar dhe ia lëmë drejtësisë komplet të operojë, të veprojë, dhe shpresoj shumë që të jetë një proces i ndershëm”, tha Fatbardh Sallaku.
Klan News