Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masat e sigurisë për 9 personat e dyshuar si pjesë e skemës së mashtrimit përmes mikrokredive.
Në seancën e zhvilluar Prokuroria e Tiranës relatoi faktet, sipas të cilave ngarkojnë me përgjegjësi 9 personat, mes tyre përmbarues dhe administrator të shoqërive përmbaruese si dhe administratorja e Mikro Credit Albania.
Ishin denoncimet e qytetarëve të shumtë që vunë në lëvizje Prokurorinë e Tiranës nga ku u zbulua se Mikro Credit Albania kishte marrë nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite në vlerën e 7.2 milionë Eurove.
Më pas ata kontaktonin qytetarët që kishin borxhe të vjetra, ku përmes mashtrimit i bindnin ata që të merrnin një tjetër kredi për të shlyer të parën, pasi do të kishin lehtësi, fakte që sipas hetuesve nuk ishin të vërteta.
Pas marrjes së kredisë së dytë, qytetarët rëndoheshin më shumë ekonomikisht dhe nuk kishin mundësi pagimi. Në këto kushte MCA, nëpërmjet disa shoqërive përmbarimore, u bllokonin qytetarëve pasuritë.
Kjo skemë rezulton të jetë përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët ranë pre e vjedhjes së pasurisë së tyre, duke u shkaktuar kështu një dëm të konsiderueshëm ekonomik.
Tv Klan