Pistat ndryshojnë, por fituesi mbetet i njëjtë. Max Verstappen tregoi edhe njëherë se nuk ka rival në Formula 1. Tre herë kampioni i Botës dhuroi një nga performancat e tij më të mira në Shangai, për të provuar për herë të parë shijen e fitores në tokën kineze. Holandezi ishte i jashtëzakonshëm për të lënë pas krahëve rivalët dhe për të hedhur një tjetër hap drejt titullit kampion. Fitore komode nga ana e 26-vjeçarit në pistën që priti për herë të parë garën pas 5 vitesh. Paraqitje pozitive edhe nga Lando Norris, i dyti dhe zgjedhur nga tifozët si piloti më i mirë në Shangai.
Meksikani, Sergio Perez, rivali më i afërt i Verstappen në kampionat, por tashmë 25 pikë pas tij u ngjit në shkallën e tretë të podiumit. Charles Leclerc dhe Carlos Sainz përfunduan sërish jashtë podiumit, për të treguar deri diku edhe momentin negativ që po kalon Ferrari. Fitorja ishte e 58-ta në karrierën e Verstappen dhe Shangai u bë pista e 26-të në të cilën ai ka arritur të ngjitet në majën më të lartë të podiumit. Gara e Kinës ishte e para që nuk pa dy makina të njëjta në dy vendet e para, kjo falë Norris, që shijoi për herë të 15-të podiumin, nga të cilët 8 në shkallën e dytë.
Klan News